Lajme
Para një numri të madh të qytetarëve, kryetari Hamza shpalosi punën e tij për vitin 2022
- 23/12/2022
- By RTV Mitrovica
Para një numri të madh të qytetarëve, kryetari Hamza shpalosi punën e tij për vitin 2022
Në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, në prani të nënkryetarit, z. Arian Tahiri dhe të drejtorëve komunal ka mbajtur takimin publik me qytetarë për të shpalosur punën e ekzekutivit për vitin 2022.
Në fillim të këtij takimi, kryetari Hamza tha se në vitin e parë të qeverisjes së tij, me punë të palodhur është arritur që në këtë periudhë që po e lëmë pas, të realizohen me sukses një sërë projektesh që janë jetike për qytetarët e Komunës së Mitrovicës.
Nga kryetari z. Hamza, është thënë se konsolidimi financiar ka qenë njëra ndër sfidat më të mëdha të qeverisjes brenda këtij viti, ku janë paguar mbi 6 milionë euro borxhe, duke përfshirë urdhra përmbarimor, fatura në financa dhe obligime të padeklaruara për punët e kryera.
Më tutje kryetari Hamza ka përmendur edhe dy premtimet e tij të dhëna për rregullimin e rrugës “Ali Zeneli’, dhe “Lah Nimani, të cilat ndodhën në qendër të qytetit të Mitrovicës.
“Prioritete të qeverisjes sime janë dy rrugët kryesore në qytet për të cilat janë bërë edhe hapa konkret në fillimin e rregullimit të tërësishëm, të rrugës “Ali Zeneli”, dhe “Lah Nimani”, duke përfshirë këtu përgatitjen e planit teknik të detajuar, shpronësimin dhe nënshkrimi e kontratës, projekte këto që do realizohen qysh në fillim të vitit 2023”, shtoj z. Hamza.
Po ashtu, nga kryetari Hamza, janë shpalosur edhe projekte të tjera të ekzekutivit, përfshirë këtu realizimin e projekteve në infrastrukturë, investimet në fushën e arsimit ku janë renovuar shumë shkolla, çerdhe publike dhe rritjen e numrit të bursave për studentët mitrovicas.
Nga kryetari Hamza, qytetarët e pranishëm janë njoftuar edhe me mbështetjen e dhënë për familjet me asistencë sociale, ndarjen e shumës prej 100 euro për të gjitha familjet në nevojë të komunës, mbështetjen me pako ushqimore, për të vazhduar me pas edhe shpalosjen e shërbimeve digjitale për qytetarët dhe vënien në funksion të e-Kioskave.
Qytetarët gjatë këtij takimi, u njoftuan edhe me punët e bëra nga inspektorët komunal, mbështetjen financiare për fermerët mitrovicas, sportistet, dhe investimet pozitive të bëra në sektorin e shëndetësisë, përmes renovimit pothuajse të të gjitha QMF-ve dhe AMF-ve, në Mitrovicë.
Në fund të takimit, të gjitha pyetjeve të parashtruara nga ana e qytetarëve të pranishëm, e që kryesisht kishin të bënin me infrastrukturë, shërbime publike, arsim, kulturë, shëndetësi dhe urbanizëm u është përgjigjur kryetari i komunës, z. Bedri Hamza.