Lajme

Kryetari Hamza takoi shefin e Zyrës së UNMIK-ut në Rajonin e Mitrovicës Danilo Rosales Díaz

  • 10/12/2022
  • By RTV Mitrovica
Share

Kryetari Hamza takoi shefin e Zyrës së UNMIK-ut në Rajonin e Mitrovicës Danilo Rosales Díaz

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, z. Bedri Hamza, priti në takim Shefin e Zyrës së UNMIK-ut në Rajonin e Mitrovicës, Danilo Rosales Díaz, me të cilin ka diskutuar për situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe bashkëpunimin ndërmjet Komunës së Mitrovicës dhe UNMIK-ut.

Kryetari Hamza shprehu shqetësimet e tij për situatën politike dhe të sigurisë në veri dhe përshëndeti rolin dhe angazhimin e UNMIK-ut drejt paqeruajtjes dhe ndërtimit të besimit ndërmjet liderëve institucionalë dhe komuniteteve përkatëse.

Më tutje nga kryetari Hamza është theksuar se dialogu është e vetmja zgjidhje për përmirësimin e situatës aktuale, duke u zotuar se do të vazhdojë angazhimin e tij të paepur me të gjitha institucionet dhe komunitetet të cilave u shërben, duke përsëritur thirrjen për t’u përmbajtur nga veprimet që mund të nxisin tensione.

Ndërsa shefi i Zyrës së UNMIK-ut në rajonin e Mitrovicës, z. Danilo Rosales Díaz, shprehu mirënjohje për thirrjet e kryetarit Hamza për të ruajtur qetësinë dhe sigurinë, si dhe për të punuar në dobi të paqes dhe stabilitetit për të gjitha komunitetet në veri të Kosovës.

Po ashtu nga z. Rosales Diaz, është potencuar mbështetja e palëkundur për udhëheqjen komunale të Mitrovicës në misionin e përbashkët të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal, znj. Vesa Broja, si dhe zv.kryesuesja e Zyrës Rajonale të UNMIK-ut, Znj. Sandra Imširović, dhe zyrtarja për Çështje Politike në UNMIK, Alketa Sala.