Lajme

Në Shipol përurohet Qendra e Mjekësisë Familjare

  • 09/12/2022
  • By RTV Mitrovica
Share

Në Shipol përurohet Qendra e Mjekësisë Familjare
Komuna e Mitrovicës në vazhdën e përmirësimit të kushteve për ofrimin e shërbimeve shëndetësore sot ka bërë përurimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Shipol, pas renovimit të tërësishëm të objektit.

Në përurimin solemn të kësaj qendre morën pjesë kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, nënkryetari i komunës, z. Arian Tahiri, drejtori i drejtorisë për Shëndetësi, z. Fahri Shabani, hoxhë, Fatmir Latifaj, drejtor të drejtorive komunale, asamblistë, drejtori i QKMF-së “Dr. Nexhat Çuni”, z. Fevzi Sylejmani, stafi shëndetësor, si dhe banorët e Shipolit.

Kjo qendër mjekësore është rinovuar në tërësi përmes buxhetit të Komunës së Mitrovicës, duke u transformuar në një ambient tejet modern, ku tash e mbas banorët e Shipolit do të marrin shërbime efikase në hapësira me standarde të larta e kualitative.

Me këtë rast kryetari z. Hamza është shprehur i kënaqur me realizimin e këtij projekti, duke thënë se tani e tutje banorët e Shipolit do të marrin shërbime shëndetësore në ambiente me kushte më të mira.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, z. Fahri Shabani, tha se ky projekt është investim i radhës i Komunës së Mitrovicës në sektorin primar, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës dhe ngritjes së cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.