Lajme

U mbajt diskutim publik për Draft – Vlerësimin Strategjik Mjedisor të Hartës Zonale Komunale 2020-2026

  • 17/10/2022
  • By RTV Mitrovica
Share

U mbajt diskutim publik për Draft – Vlerësimin Strategjik Mjedisor të Hartës Zonale Komunale 2020-2026

Në sallën e Kuvendit Komunal sot është mbajtur diskutimi publik për Draft – Vlerësimin Strategjik Mjedisor të Hartës Zonale Komunale 2020-2026.

Hapja e diskutimit është bërë nga drejtori i Drejtorisë për Planifikim dhe Urbanizëm, Edison Ternava, i cili pasi ka përshëndetur të gjithë pjesëmarrësit në këtë diskutim publik ka thënë se për shkak të grevë së shërbyesve civil është shtyrë edhe mbajtja e këtij diskutimi publik.

Më tutje drejtori Tërnava ka thënë se zëri i qytetarit është shumë i rëndësishëm në çdo dokument strategjikë të hartuar nga institucionet lokale, duke inkurajuar të gjithë të pranishmit që të kontribuojnë përmes dhënies së komenteve, vërejtjeve dhe propozimeve në hartimin final të Draft -Vlerësimit Strategjik Mjedisor të Hartës Zonale Komunale 2020-2026.

Ndërsa përfaqësuesit nga kompania projektuese “INSI”, kanë elaboruar para të pranishmëve edhe këtë draft-dokument, duke thënë se Komuna e Mitrovicës është ne proces të hartimit të Hartës Zonale Komunale të cilës i kërkohet edhe Vlerësimi Strategjik Mjedisor.

Qëllimi i raportit të VSM-së për Hartën Zonale Komunale të Mitrovicës së Jugut është që të bëjë identifikimin, përshkrimin dhe vlerësimin e ndikimeve të rëndësishme të kushteve të përgjithshme, masave dhe rregullave tjera që mund të rezultojnë nga zbatimi i HZK-së, si dhe të nxirren alternativa më të favorshme për përcaktimin e kushteve në mbrojtjen e zonave me ndjeshmëri të lartë nga pikëpamja mjedisore.

Përveç që u njoftuan me draftin e këtij dokumenti, qytetarët që morën pjesë në këtë takim kanë dhënë pikëpamjet dhe sugjerimet e tyre për pjesën urbane ku ata jetojnë.