Lajme
U mbajt mbledhja e radhës e KKSB-së në Mitrovicë
- 06/10/2022
- By RTV Mitrovica
U mbajt mbledhja e radhës e KKSB-së në Mitrovicë
Është mbajtur sot mbledhja e radhës e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), të cilën e kryesoi drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Bahtir Maxhuni.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe përfaqësuesit e Stacionit Jugor të Policisë, përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Kishës Katolike, të Bashkësisë Islame në Mitrovicë, përfaqësues nga Kisha Protestante dhe përfaqësues nga organizata të tjera.
Në këtë mbledhje anëtarët e KKSB-së diskutuan për shumë çështje të interesit të përgjithshëm, por me theks të veçantë u diskutuan temat që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me sigurinë e qytetarëve mitrovicas.
Në fjalën e tij, komandanti i Stacionit Policor në Jug, Ahmet Xhosha, ka prezantuar raportin mbi gjendjen e sigurisë në territorin e komunës së Mitrovicës, duke theksuar bashkëpunimin e mirë me institucionet lokale.
“Gjendja e sigurisë në Mitrovicë është e qetë dhe stabile, ku përgjatë këtij viti edhe trendi i krimeve ka shënuar rënie, e gjithë kjo falë bashkëpunimit të mirë të qytetarëve me Policinë e Kosovës”, është shprehur komandant Xhosha.
Po ashtu z. Xhosha njoftoi anëtarët e KKSB-së, se përgjatë sezonës verore kur kemi edhe një rritje dhe frekuentim më të madh të qytetarëve ka qenë një mobilizim i mirë i organeve të sigurisë, në mënyrë që të sigurohet një gjendje stabile për të gjithë.
KKSB po ashtu ka diskutuar edhe lidhur me situatat e ndodhura më parë nga vërshimet dhe zjarret, ku falë frymës bashkëpunuese nga të gjitha organet kompetente, menaxhimi i situatave është bërë sipas parametrave të sigurisë dhe në kohë.
Po ashtu u debatua edhe për pikat e tjera të rendit të ditës, për të cilat anëtarët e KKSB-së dhanë mendimet dhe sugjerimet e tyre.