Lajme
Komuna vazhdon me dëgjimet publike për planifikimin e buxhetit për vitin 2023
- 22/07/2022
- By RTV Mitrovica
Në shkollën fillore “Harun Beka” në fshatin Gushavc, të premtën është mbajtur dëgjimi i tretë buxhetor me qytetarë për planifikimin e buxhetit për vitin 2023 dhe parashikimet për vitet 2024-2025.
Hapja e këtij takimi është bërë nga drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Igballe Islami, e cila ju tha të pranishmeve se qëllimi i këtij takimi është që qytetarët të bëhen pjesë e vendimmarrjes dhe të japin propozime dhe të shpalosin kërkesat e tyre të cilat do të bëhen pjesë e projekteve kapitale.
Për buxhetin në përgjithësi dhe për mënyrën e krijimit dhe shpërndarjes së tij, foli zyrtari kryesor financiar, Adem Fazliu.
“Buxheti i komunës për vitin 2023 planifikohet të jetë 25, 011,350.00 euro. Burimet e fondit të buxhetit janë; granti i përgjithshëm 9, 725,479.00, granti i arsimit 8,522,968.00, granti i shëndetësisë 2,739,643.00, financimi i teatrove 169,890.00, shërbimet rezidenciale 180,000.00 dhe të hyrat vetanake 3,673,370.00 euro”, tha z. Fazliu.
Nga takimi i mbajtur, të pranishmit në krye me përfaqësuesin e fshatit kanë parashtruar kërkesat buxhetore që kanë të bëjnë me infrastrukturë si: rregullim të rrugëve, kanalizimit, ndriçimit publik, furnizimit me ujë të pijes, rregullimi i rrethojave dhe oborrit të shkollës si dhe sallës së edukatës fizike.