Lajme
Mjekë kardiolog nga Italia vizitojnë Drejtorinë e Shëndetësisë në Mitrovicë
- 22/07/2022
- By RTV Mitrovica
Një delegacion nga rrjeti i spitaleve Italian Medical Group kanë vizituar të enjtën Mitrovicën.
Ata u pritën në takim nga drejtori për shëndëtësi në Komunë Fahri Shabani.
Delegacioni përfaqësohej nga Angelica Korica, presidente e Italian Medical Group dhe prof.dr. Giovanni Stellini, profesor i kardiokirurgjisë në Universitetin e Padovës, drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë Pediatrike në Padova të Italisë, anëtar i Asociacionit Europian të Kardikirurgjisë Pediatrike si dhe ish-president i Shoqatës Botërore të Kardiokirurgjisë Pediatrike për Anomalitë Kongjenitale të Zemrës.
Në takim morën pjesë edhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare , Dr. Fevzi Sylejmani , koordinatori i Komitetit për Cilësi të Shërbimeve Shëndetësore në Kujdesin Parësor Shëndetësor Dr. Mehmet Uka, përgjegjësja e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Shypkovc, Dr. Mevlyde Smakiqi, përgjegjësja e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Zhabar Dr. Naxharie Pllana- Islami, përgjegjësi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Bare, Dr. Vllaznim Hoti si dhe përgjegjësi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Bajr, Dr.Xhevdet Shabani.
Qëllimi i takimit ishte vazhdimi i bashkëpunimit në mes të Drejtorisë për Shëndetësi të Komunës së Mitrovicës dhe Italian Medical Group e Fakultetit Mjekësisë së Universitetit të Padovës në funksion të ngritjes së kapaciteteve të Kujdesit Parësor Shëndetësor të Komunës së Mitrovicës për ofrimin e shërbimeve shëndetësore sa më cilësore dhe në trend me zhvillimet bashkëkohore të shëndetësisë në Evropë, me theks të veçantë në diagnostikimin e hershëm të anomalive të lindura (kongjenitale) të zemrës ,si një problem mjaft i madh i shëndetësisë në ditët e sotme.
Në këtë takim u zhvillua edhe një debat interaktiv në mes të prof. Stellinit dhe grupit të specialistëve të mjekësisë familjare të QKMF-së lidhur me rolin e mjekut familjar në zbulimin e hershem të anomalive të lindura të zemrës tek fëmijët, si dhe shkëmbimin e përvojave reciproke të metodologjive dhe procedurave për diagnostikimin, trajtimin dhe monitorimin postoperativ të rasteve me anomali të lindura të zemrës.
Në fund të takimit palët janë dakorduar që në të ardhmen, bashkëpunimi të vazhdojë në fushën e trajnimeve profesionale, vizitave studimore dhe aspekteve të tjera me interes për të dy palët.