Lajme
Largohen tri deponi ilegale të mbeturinave në Mitrovicë
- 04/06/2022
- By RTV Mitrovica
Deponitë ilegale të mbeturinave vazhdojnë të mbesin shqetësim mjedisor në Mitrovicë. Autoritetet komunale kanë filluar një aksion për largimin e tyre ndërsa bëjnë thirrje për më tepër kujdesë në ruajtje të mjedisit.
Tri deponi të mbeturinave në lokacione të ndryshme janë larguar, bëjnë të ditur nga Komuna e Mitrovicës.
“Drejtoria për Mbrojtje të Mjedisit, në bashkëpunim me Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë ka nisur një aksion për largimin e deponive ilegale në Mitrovicë.”
Me këtë rast janë pastruar tri deponi ilegale të mbeturinave në Suhodoll, në Vinarc, si dhe në Koshtovë të Mitrovicës, ku këto zona i janë kthyer ambientit të natyrshëm.
Për aksionin e largimit të mbeturinave dhe pastrimin e këtyre hapësirave ku kanë qenë të krijuara këto deponi ilegale është përkujdesur kompania e kontraktuar nga komuna “Uniteti”.
Drejtori për Mbrojtje të Mjedisit, Egzon Sadiku, kërkon nga qytetarët që të mos hedhin mbeturina në vende të palejuara dhe së bashku të kontribuojmë për një mjedis të pastër jo vetëm në qytet, por edhe në rrethinë.