Lajme
Përkujtohen të pagjeturit e Mitrovicës
- 15/04/2022
- By RTV Mitrovica
U mbajt tubim përkujtimor me rastin e Ditës së Personave të Pagjetur të Mitrovicës
Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës, Bedri Hamza, dhe në bashkëpunim me shoqatën “Zëri i Prindërve”, u shënua 15 Prilli i vitit 1999, Dita e Personave të Pagjetur të Mitrovicës.
Në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, në Mitrovicë të premtë u mbajt një tubim përkujtimor për të pagjeturit e komunës.
Me rastin e shënimit të kësaj dite kryetari i komunës, Bedri Hamza tha se tash e 23 vjet nga mbarimi i luftës, problemi i të pagjeturve mbetet një kujtesë tragjike e të kaluarës së afërt të Kosovës dhe vazhdon të jetë një barrë e dhimbshme, jo vetëm për familjet që humbën të dashurit e tyre, por për tërë shoqërinë tonë.
“Në këtë përvjetor të dhimbjes së madhe, në këtë datë që shënon Ditën e të Pagjeturve në Mitrovicë, jemi mbledhur këtu së bashku për të kujtuar më të dashurit tanë që u vranë, masakruan, e u flijuan për atdheun. Si kryetar i komunës zotohem se do të përpiqem dhe do të bëj gjithçka që është në fuqinë time që t’u ndihmoj familjeve të gjejnë dhe të dinë për fatin e më të dashurve të tyre dhe iu bëj thirrje të gjithëve që të shtojnë përpjekjet për të zbardhur fatin e personave të pagjetur”, tha kryetari Hamza.
Më tutje kryetari Hamza ka theksuar se familjet e të vrarëve dhe atyre të pagjeturve dhe e gjithë Kosova do të gjejnë qetësinë shpirtërore vetëm me vendosjen e drejtësisë në vend.
Në këtë tubim folën edhe Bajram Qerkinaj, nga Shoqata e Personave të Pagjetur “Zëri i Prindërve”, si dhe Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur.
Po ashtu për të gjithë të pranishmit u shfaq një film dokumentar, për të vazhduar më pas me hapjen e një ekspozite kushtuar personave të pagjetur dhe Ojq “Zëri i Prindërve”.