Lajme
Kryetari Hamza nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për ngritjen e qendrës së riciklimit të mbetjeve në Lagjen e Romëve
- 31/03/2022
- By RTV Mitrovica
Kryetari Hamza nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për ngritjen e qendrës së riciklimit të mbetjeve në Lagjen e Romëve
Kryetari i Komunës, Bedri Hamza, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ferdi Kadriu, kanë qëndruar për vizitë në organizatën IADK- Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës.
Gjatë këtij takimi kryetari Hamza, është pritur nga drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Zenel Bunjaku, me ç ‘rast është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi në mes të Komunës së Mitrovicës, Danish Refugee Council-DRC si dhe Besim Toska B.I. në kuadër të zbatimit të projektit nga IADK të titulluar “Fuqizimi i zingjirit të vlerës së reciklimit në Mitrovicën Jugore”.
Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje synohet forcimi i zinxhirit të vlerës së grumbullimit të mbeturinave në Lagjen e Romëve, duke filluar me mbështetjen e mbledhësve dhe zgjerimin e njësisë së grumbullimit-përpunimit brenda zonës së vendbanimeve të komunitetit, projekt ky i cili ka për qëllim që të përmirësojë jetesën e popullatës për komunitetin Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Komunën e Mitrovicës.
Me këtë rast, kryetari Hamza ka falënderuar drejtorin e IADK-së, z.Bunjaku si dhe përfaqësuesen e DRC-së, znj. Kristen Stec, ku falë bashkëpunimit të mirë dhe përmes realizimit të këtij projekti, do të mundësohet krijimi i kushteve për jetesë më të qëndrueshme, gjenerimit të të ardhurave, punësimit dhe mundësi për zhvillim të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Mitrovicë.
Po ashtu kryetari Hamza dhe drejtori Kadriu të shoqëruar nga drejtori i IADK-së, z.Bunjaku, kanë vizituar edhe Njësinë e Përpunimit të Ushqimit në kuadër të IADK-së, ku kryetari Hamza u njoftua më shumë mbi funksionimin dhe aktivitetet kryesore të kësaj organizate.