Lajme

Nderohen me Flamurin e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, dëshmorët nga Komuna e Mitrovicës dhe Vushtrrisë

  • 16/03/2022
  • By RTV Mitrovica
Share

Nderohen me Flamurin e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, dëshmorët nga Komuna e Mitrovicës dhe Vushtrrisë

Në sallën e Muzeut të qytetit të Mitrovicës, shoqata e ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani”, ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së Flamurit të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, për dëshmorët mitrovicas e vushtrrias, të cilët ishin pjesë e betejës së lavdishme të Koshares.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahtir Maxhuni, ish-luftëtari i Brigadës 138 “Agim Ramadani” nga Mitrovica, Vesel Neziri si dhe familjet e dëshmorëve të komunës së Mitrovicës dhe Vushtrrisë të rënë në betejën e Koshares.

Në fjalën e tij të rastit, drejtori i DMSH-së, Bahtir Maxhuni, pasi ka përshëndetur familjet e dëshmorëve të rënë në Koshare, komandantin e ish-Brigadës, Rrustem Berisha, si dhe përfaqësuesit e komunave pjesëmarrëse, ka thënë se dëshmorët janë shtyllë e shtetndërtimit të Kosovës, dhe sakrifica e tyre kurrë nuk do të harrohet.

Ndarja e flamurit dhe certifikatave në emër të bashkëluftëtarëve është bërë nga ish-komandanti i Brigadës, Rrustem Berisha.

Dëshmorët mitrovicas të Koshares që u nderuan me flamur dhe çertifikatë janë: Ali (Sadik) Fejzullahu, Bajgorë, Besim (Ismail) Nuka, Mitrovicë, Fatmir (Qemajl) Ratkoceri, Stan Tërg, Hamdi (Brahim) Sheremeti, Shipol, Harun (Nebih) Beka, Gushavc , Sylejman (Adem) Shala, Vidishiq, Tafil (Veli) Osmani, Kçiq.
Ndërsa dëshmorët vushtrrias të nderuar me çertifikatë janë: Lutfi (Avdush) Musiqi, Vushtrri, Lumni (Musë) Surdulli, Samadrexhë.