Lajme
Cilat janë projektet prioritare të planifikuara në buxhetin e vitit 2022 në Komunën e Mitrovicës
- 26/01/2022
- By RTV Mitrovica
![](https://rtvmitrovica.com/app/uploads/2022/01/272744368_301267318701465_5504253767131439792_n.jpg)
Në Komunën e Mitrovicës sot është mbajtur mbledhja e Bordit të Drejtorëve.
Kryetari i Komunës Bedri Hamza ka prezantuar planifikimin e buxhetit për vitin 2022.
Ai ka përmendur disa nga projektet kryesore dhe më prioritare që janë planifikuar në buxhetin e këtij viti siç janë ndërtimi i QKMF-së, ambulantave në Koshtovë, dhe në Stantërg, rregullimi i infrastrukturës në rrugët “Ali Zeneli”, “Lah Nimani”, Evlia Qelebia”, “Mbretëresha Teutë”, “Shemsi Ahmeti”, përfundimi i asfaltimit të rrugëve në Vërrnicë dhe Bare, sistemi për ujitje dhe pastrim të qytetit, përkrahja me pagesë shtesë e familjeve me asistencë sociale, si dhe projekte tjera.
Sipas tij prioritet në këtë buxhet do të ketë arsimi, shëndetësia, infrastruktura, rinia, kultura, sporti, derisa ka theksuar se një pjesë e buxhetit për këtë vit do të shkoj në shlyerjen e borxheve të trashëguara të cilat thuhet se arrijnë shifrën afër 10 milionë euro.
Kryetari Hamza ka potencuar se në afat ligjor planifikimi i buxhetit të Komunës së Mitrovicës për vitin 2022 do të dërgohet në Komitetin për Politikë dhe Financa, e pastaj të procedohet për miratim në Kuvendin Komunal.
Hamza ka falënderuar të gjithë drejtorët për kontributin e tyre që brenda një afati të shkurtë kohor kanë përgatitur buxhetin, duke qëndruar brenda kornizave dhe kufijve buxhetor të përcaktuar sipas Qarkores Buxhetore të Ministrisë së Financave.