Lajme
Prezantohet puna një vjeçare e Policisë në Rajonin e Mitrovicës
- 15/01/2022
- By RTV Mitrovica
Drejtoria Rajonale e Policisë (DRP) Mitrovicë Jug, ka prezantuar të premtën punën, angazhimet, detyrat dhe aktivitetet e realizuara gjatë vitit 2021 nga ana e zyrtarëve policorë të cilët punojnë në kuadër të kësaj Drejtorie.
Në një njoftim të Policies së Kosovës thuhet se në prani të mbikëqyrësve të Sektorëve Rajonal në kuadër të DRP-se, të Komandantëve të Stacioneve Policore dhe mbikëqyrësve të njësive si dhe mysafirëve të ftuar nga institucionet e tjera të sigurisë, në këtë prezantim, Drejtori i DRP-Mitrovicë Jug-Kolonel Afërdita Mikullovci prezantoi punën njëvjeçare me statistika të secilit stacion/njësi vartëse të DRP-së.
Kolonel Mikullovci, ka nënvizuar se “gjatë vitit 2021, ka pasur rritje të aktivitetit policor në përgjithësi, patrullime të shtuara dhe ngritje të numrit të kontrollimeve të personave dhe automjeteve dhe kjo ka rezultuar në ngritjen e zbulueshmërisë së veprave penale, zbulimin dhe inicimin e rasteve me substanca narkotike, arrestime të personave dhe inicime të rasteve për armëmbajtje pa leje, rritje të numrit të armëve të konfiskuara, zbulimin e rasteve me para të falsifikuara, rritje te numrit dhe inicimit të rasteve të organizmit të skemave piramidale dhe lojërave të fatit, rritjen e numrit të gjobave në trafik dhe atyre për Covid-19.”
Gjithashtu rënie te numrit të veprave penale thuhet se ka pasur edhe te grabitjet dhe te tentim grabitjeve. Evidente për vitin që lamë pas mbeten disa nga rastet e veprave penale kundër jetës dhe trupit, ku për parandalimin e këtyre veprave përveç përkushtimit të policisë esenciale mbetet përkrahja dhe bashkëpunimi me qytetarët.
Kolonel Mikullovci potencoj faktin se edhe përkundër sfidave të ndryshme e sidomos angazhimin e shtuar të zyrtarëve policorë për parandalimin e pandemisë Covid-19, rezultatet janë evidente.
Në fund të prezantimit, për punonjësit e dalluar gjatë vitit 2021, janë shpërndanë mirënjohje dhe falënderime nga ana e stafit menaxhues të DRP-së.