Lajme
Komuna siguron ngrohje alternative për shkollën fillore “Harun Beka” në Gushavc të Mitrovicës
- 08/12/2021
- By RTV Mitrovica
Nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, gjatë ditës së sotme ka vizituar shkollën fillore “Harun Beka”, në fshatin Gushavc, ku është pritur nga drejtori i kësaj shkolle, Fatmir Zeka.
Drejtori Zeka, fillimisht falënderoj nënkryetarin Tahiri për vizitën dhe interesimin e tij të treguar duke ofruar gatishmëri në zgjidhjen e problemit të ngrohjes në këtë shkollë.
Me këtë rast, nënkryetari Tahiri, ka theksuar se menjëherë pasi komuna ka kuptuar problemin lidhur me ngrohjen me të cilën po përballet shkolla fillore “Harun Beka” është përkujdesur që të gjenden edhe alternativa tjera të ngrohjes, duke siguruar nxemëse elektrike deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit të kaldajës.
Nënkryetari Tahiri gjatë një takimi edhe me përfaqësues të prindërve të kësaj shkolle ka potencuar se komuna është e përkushtuar që të ofroj zgjidhje sa i përket problemit të ngrohjes, në mënyrë që të krijohen kushte për zhvillimin e procesit mësimor në këtë shkollë, por edhe të ruhet shëndeti i fëmijëve.
Ky problem ndonëse i trashëguar nga qeverisja e kaluar komunale dhe pa përfunduar procesi i pranimit teknik të objektit të shkollës, ka rrjedhur pasi që kompania hartuese e ka pasur të paqartë se me çfarë lënde të ngrohjes do të preferohet, nuk është paraparë kaldaja në dosje të tenderit.
Aktualisht në këtë shkollë është duke u ofruar alternativa e ngrohjes përmes nxemëseve elektrike dhe për shkak të procedurave të prokurimit është duke u punuar që për gjysëmvjetorin e dytë të funksionalizohet kaldaja e shkollës.