Debate

Komuna e Mitrovicës në mesin e institucioneve që u vlerësuan për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve

  • 03/12/2021
  • By RTV Mitrovica
Share

Zyra e Komisionerit për gjuhët (ZKGJ) në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE), kanë ndarë çmimin “Praktika më e mirë në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”.

Në mesin e institucioneve të vlerësuara që kanë treguar praktikë të shkëlqyeshme të përkthimit duke respektuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ishte edhe Komuna e Mitrovicës.

Ndarja e çmimit për institucionet e shpërblyera u bë në një ceremoni ku të pranishëm ishin Michael Davenport, Ambasador, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, Ambasadore, Ambasada e Suedisë në Kosovë , Slavisa Mladenovic, Udhëheqësi i Njesisë për të Drejta të Njeriut nga Komuna e Mitrovicës, Fitim Rama si dhe përfaqësues të institucioneve përkatëse.

Në emër të Komunës së Mitrovicës, të pranishmit i përshëndeti Udhëheqësja e Njësisë së Komunikimit me Publikun, Blerina Kastrati, e cila pasi ka falënderuar Zyrën e Komisionerit për gjuhët (ZKGJ) si dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE) për këtë vlerësim ka theksuar se ky shpërblim do të shërbejë si motiv shtesë për të punuar akoma më shumë në zbatim të Ligjit për përdorim të gjuhëve zyrtare, dhe ka përgëzuar të gjithë stafin për përkushtimin e tyre që Ueb Faqja e komunës të siguroj informim të drejtë për të gjithë qytetarët të cilët jetojnë në Komunën e Mitrovicës.

Për praktikë të shkëlqyeshme të përkthimit duke respektuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve me një certifikatë dhe disa pajisje të vogla u shpërblyen, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Policia e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Komuna e Prizrenit, Graçanicës, Mitrovica e Jugut, Rahoveci dhe Komuna e Shtërpcës.