Lajme
Një fëmijë 8 vjeçar u dërgon letër falënderimi Zjarrfikësve të Mitrovicës
- 26/11/2021
- By RTV Mitrovica
Ky vit për Zjarrfikësit e Mitrovicës ka qenë me plotë punë dhe angazhime, ku kanë arritur të ndërhyjnë me kohë pothuajse në të gjitha rastet që janë paraqitur dhe në disa të tjera edhe në mënyrë vullnetare duke iu dalë në ndihmë qytetarëve të Mitrovicës.
Angazhimi i tyre padyshim që po vlerësohet nga qytetarët mitrovicas, kjo është bërë e ditur edhe nga komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve të Mitrovicës i cili tha se pas një intervenimi para disa ditësh në fikjen e zjarrit në një shtëpi në Vaganicë, është pranuar letër falënderuese për zjarrfikësit nga një fëmijë 8 vjeçar me emrin Aid.
Ai tha se ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve të Mitrovicës ka parandaluar djegien e asaj shtëpie në Vaganicë, zjarri i të cilës përbënte rrezik për jetën e banorëve. Mirëpo, falë efikasitetit të treguar nga ana e zjarrfikësve është parandaluar rreziku eventual dhe janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale.