Lajme
Kryetari Bahtiri priti në takim Ministrin e MAPL Elbert Krasniqi
- 15/09/2021
- By RTV Mitrovica
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari, Faruk Mujka, kanë pritur në takim ministrin e MAPL-së, Elbert Krasniqi, me të cilin është biseduar lidhur me projektet e realizuara nga bashkëpunimi i komunës me MAPL-në.
Kryetari Bahtiri duke i uruar mirëseardhje ministrit Krasniqi e ka falënderuar për vizitën që ja bëri komunës së Mitrovicës, duke e njoftuar më pas edhe me investimet e deritanishme të realizuara dhe për projektet e tjera të cilat do të realizohen në Mitrovicë.
Ndërsa, ministri, Elbert Krasniqi, u shpreh se qëllimi i këtyre vizitave nëpër komuna është njohja me e afërt me problemet që komunat janë duke u ballafaquar e sidomos me problemet që ka shkaktuar pandemia COVID -19 në nivelin lokal. Për këtë ministri shtoi se jemi në proces të përgatitjes së një studimi për ndikimin e pandemisë në nivelin lokal, ku përpos identifikimit të problemeve do të na mundësonte edhe adresimin e tyre përmes zhvillimit të planeve emergjente për rimëkëmbje ekonomike dhe organizimin e konferencës së donatorëve dhe investitorëve për zbatimin e këtyre planeve.
Si me të gjitha komunat e Republikës së Kosovës edhe me Komunën e Mitrovicës do të ketë bashkëpunim dhe përkrahje nga MAPL-ja, theksoi ministri Krasniqi duke e falënderuar kryetarin Bahtiri për mikëpritjen dhe shkëmbimin e informatave për punën e zhvilluar në Komunën e Mitrovicës.
Kryetari Bahtiri dhe ministri Krasniqi kanë realizuar edhe një vizitë tek lagjia multietnike “2 Korriku”, dhe lagjia Fidanishte ku është paraparë zgjerimi i ndriçimit publik.