Lajme
7 Arte me fushatë për mbrojtjen e lumenjëve në Mitrovicë
- 06/10/2023
- By RTV Mitrovica

“S’e merr uji” – nën këtë sllogan, organizata 7 Arte në Mitrovicë ka nisur një fushatë ndërgjegjsuese për mbrojtjen e lumenjëve të qytetit.
“Arsyeja pse e kemi quajt “s’e merr uji” është si rezultat i disa të gjeturave në hulumtim ku përgjigja e njerëzve pse i gjuajnë mbeturinat në lum ka qenë që, “hajt se e merr uji”,” tha drejtori i Organizatës 7 Arte, Lulzim Hoti.
“E sllogani jonë është si përgjigje ndaj asaj që “jo s’e merr uji”, por përkundrazi na e kthen herët a vonë, sikurse ka qenë rasti me vërshimet e sivjetshme në janar, që na i ka kthy uji të gjitha,” shtoi ai.
Fushata “S’e merr uji!” ka për synim të ndërgjegjësojë komunitetin rreth sfidave mjedisore, me fokus në gjendjen e rënd të lumenjve të Mitrovicës. Po ashtu me anë të kësaj fushate synohet që t’u bëhet thirrje institucioneve kompetente për veprime të menjëhershme në mbrojtje të mjedisit në Mitrovicë.
Kjo iniciativë i prinë edicionit të 14-të të Green Fest, në kuadër të të cilit zhvillohen aktivitete të shumta që kanë të bëjnë me ngritjen e vetëdijes për një mjedis të pastër.
Mbeturinat vazhdojnë të jenë ndërë faktorët kryesor të ndotjes së lumenjëve në Kosovë. Ndërsa vetëdija e njerëzve dhe veprimet institucionale në mbrojtje të tyre janë fatkeqsisht ende të ulëta.