Ekonomi
2022-ta vit i shtrenjtë për qytetarët e Mitrovicës
- 15/01/2023
- By RTV Mitrovica
Me shumë vështirësi, me borgje e duke kursyer, po e përballojnë krizën ekonomike, qytetarët në Mitrovicë, qyteti me më së shumti familje nën asistencë sociale në Kosovë.
Nga Majlinda Brahimi
“Mezi po ja dalim,” i tha TV Mitrovicës, një qytetar që u përgjigj në pyetësorin e publikuar në lidhje me temën e ngritjes së çmimeve.
Një tjetër tha se çmimet e larta po i përballojnë duke blerë vetëm gjërat esenciale, “kemi larguar luksin,” shtoi qytetari që tha se nuk ka asnjë të punësuar në famije por jeton nga remitencat nga jasht.
Dikujt tjetër gjendja i është vështirësuar edhe për shkak të kredisë. “Vështirë e përballueshme, sepse të hyrat nuk mjaftojnë për shkak të kredisë e cila është marrë me qëllim të sigurimit të vendbanimit,” u përgjigj një qytetare. “Të detyruar të jetojmë me një standard jo të kënaqshëm pas ndryshimeve enorme të çmimeve,” shtoi ajo.
Mbi 84% e qytetarëve që u përgjigjën në pyetësor, thanë se ngritja e çmimeve e ka ndikuar buxhetin e tyre familjarë.
Të ngjashme ishin edhe shqetësimet e qytetarëve dhe bizneseve që kemi intervistuar në teren.
Jetë e shtrenjtë tha Fadil Maliqi, një shitës i perimeve në treg.
“Katër anëtarë të familjes jemi, unë jam person me aftësi të kufizune. I marr 100 euro pension, ata sa marrin nuk e di veq mu me 100 euro më kanë lanë, tha Maliqi. “Shtrenjt janë boll, jetë e shtrenjtë është boll, atyre nuk ju intereson as për Veri as për kurgjo hiq,” shtoi ai.
“Boll vështirë, ekonomia shumë e dobët, shtrenjtime të mëdhaja, pagesa e pensioneve shumë e dobët, po qa me bo duhet me dalë, për të gjallin duhet me rrnu. Shumë keq.” tha Mejreme Grudiq, derisa po punonte në një kioskë të vogël në qytet.
“Çmimet, tana shtrenjtë janë, të ardhuna të kesh sa të duash smund ia mbërrinë, tha Fahrie Berisha, një rrobaqepëse në Mitrovicë.
Çmimet u rriten ndërsa pagat mbetën të njejta
Inflacioni në mbi 11 % e përkeqësoi edhe më tepër eknominë e brisht të qytetit të Mitrovicës. Derisa ngritja e çmimeve vazhdoi e pagat ngelën të njejta, kjo e rriti koston e jetesës për shumë familje në Mitrovicë. Të pamjaftueshme konsiderohen edhe masat e qeverisë për të përkrahur qytetarët në këtë kohë krize.
Ngritja e çmimeve në njërën e anë e stagnimi i pagave në anën tjetër e ka rënduar standardin e jetës së popullatës tha mësimdhënësi nga Mitrovica, Sadik Boletini. Ndonëse ai nuk e qanë hallin e vet dhe të familjes, ka shprehur shqetësimin për shumë qytetarë që janë të papunë. “Ngritja e çmime përgjithësisht ka ndikue shumë negativisht në shoqëri, pa dallim. Nëse është personale, unë jam në mardhënie pune edhe shoqja është, por megjithatë nuk është halli i një njeriu, jam edhe me djal e me re, reja s’punon, mirëpo nuk e kam gjendjen keq në raport me të tjerët,” tha Sadiku duke qarë hallin për familjet që jetojnë në asistencë sociale. “Me 100 euro nuk mundesh as me imagjinu diçka me bë, le më me mbijetu një muaj ditë. Kjo është shumë shumë rëndë,” shtoi ai.
Hallin e vet nuk po e qanë as Kimete Arifi, dikur banore e veriut të Mitrovicës. Ajo tha se si familje nuk i kanë punët keq, por nuk mohon faktin se shumë familje po përballen me vështirësi. “Po si familje ne mirë i kemi (punët) se i kam dy fëmijë jasht edhe këtu djalin që e kam punon, edhe unë punoj rrobaqepse. Si familje ne nuk jemi keq ama kur po shoh disa familje, ka ndiku shumë keq normal, se çmimet janë tepër të nalta” tha Arifi që atë ditë kishte dalur për të prezantuar punimet e saj në tregun mujor në Mitrovicë.
Autoritetet në Kosovë theksojnë se inflacioni në vitin 2022 arriti në 11.6%, ndërsa deri te kjo situatë erdhi si pasojë e zhvillimeve në botë. “Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin dhjetor 2022 me muajin dhjetor 2021 ishte 12,1%. Ndërsa norma mesatare vjetore e inflcionit për vitin 2022 është 11.6%,” thuhet në raportin e muajit dhjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës
Zhvillimet në botë reflektuan edhe në ekonominë e vendit tonë ka thënë gjatë një konference, drejtori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti. “Ndryshimi i dinamikave globale, si pasojë e luftës në Ukrainë që u shoqëruan me rritje të inflacionit, ndryshim të politikave monetare dhe rritje të normave të interesit dhe ngadalësim të rritjes së tregtisë botërore si rezultat i ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit, u reflektua edhe në aktivitetin ekonomik në Kosovë.”
E të gjitha këto padyshim e ndikuan edhe qytetin e ndarë në Veri të Kosovë, Mitrovicën. Nënkryetari i Komunës në Jug të qytetit, Airan Tahiri, tha se kriza ekonomike në Mitrovicë është më e theksuar edhe për shkak të rrethanave dhe specifikave të cilat i ka pasur ky qytet ndër vite. “Është e vërtetë që inflacioni i çmimeve ka shkaktu një krizë më të thellë edhe në qytetin e Mitrovicës, edhe tek qytetarët e Mitrovicës. E ka vështirësu koston mujore të jetesës për familje por edhe për individ, për shkak që ka paraqitur ko mpleksitet, duke pasur parasyshë që niveli i të hyrave nuk ka ndryshuar, pra nuk është rritë, por është rritë vetëm kosto e jetesës, janë rritë vetëm çmimet, tha nënkryetari Tahiri”
- Storien në video mund ta shikoni këtu
Inflacioni ishte një goditje e rëndë sidomos për bizneset e vogla, edhe ashtu të gjunjëzuara nga kriza me paneminë Covid 19. “Prej që është pandemia qe dy vjet, ma keq ska ku shkon,” tha rrobaqepësja Fahrie Berisha. Puna e saj për 20 vjet në fabrikën e Poletit në Vushtrri, nuk po i siguron më tepër se një pension të pleqërisë. Profesionin po e vazhdon në biznes privat ndërsa thot se familja nuk mund të varet nga të ardhurat që ajo siguron nga zanati i rrobaqepsësisë. “Jo mos Allah, jo ska kurgjo këtu, po e shihni edhe vet, zbrazët në tona anët, ska kurgjo veç me dalë mos me u mërzitë në shpi. Kam punu 20 vite në fabrikë, nuk marr pension të punës, nuk di çfarë shteti o ky?? Ma keq ska ku shkon, Në Vushtrri n’Polet kam punu 20 vjet, veç pensioni i pleqërisë më takon 100 euro,” tha zonja Berisha. “Cila qeveri u ndërru, tona ken të njejta, po e shihni vet, skam cka mendoj ma gjatë. Se është puna që nuk kujdeset kush për kerkon, kam punu 20 vite ne fabrikë, nuk marr pension, kush po i han ato pare?? Qekjo është qeveria, i marr si ai që ska punu si unë që kam punuar 20 vjet, i kam lanë 5 fmijë në shpi me shku me punu me i mbajtë, në fund nuk marr pension, nuk është vetëm për mu, për krejt popullin.”
Raportin ndërmjet të ardhurave të ulëta në njërën anë e ngritjes së çmimeve në anën tjetër e theksuan edhe qytetarët që i kemi intervistuar por edhe ata në pyetësor.
Sadete Sylejmani një qytetare nga Mitrovica tha se punon në një organizatë të personave me aftësi të kufizuara, ndërsa ngritja e çmimeve i ndikoi shumë. “Jo pak po tepër, se çmimet tepër kanë shku nalt, qind përqind, duke fillu prej rrymës e në ushqime e të gjitha këto, tepër ka dallim të madh,” tha Sylejmani me shqetësim. “Jemi 9 anëtarë të familjes, punojmë tre persona, po prap se prap se di qysh po mundemi me ja dalë. Çmimet shumë, katastrofë të nalta, pagesat kanë stagnu, kurgjo ska rritje. Spo di në qoftëse vazhdon kështu, nuk kanë faj edhe rinia që po ikun. Kriza ekonomike është shumë, gjendja ekonomike është jasht mase, po ishalla do të bahet mirë, po spo shoh mirë,” shtoi ajo.
Mësimdhënësi Sadik Boletini tha se rritja e inflacionit do të duhej të përcillej me rritjen e pagave. “Me u rritë edhe pagat në të njejtën gjë, që me e ruajt rahatinë shpirtrore dhe sociale të popullit. E jo me shku në diskrepancë, rritjen e kie deri ne 30 e më tepër përqind ose gati qind për qind i ke do çmime, sa që edhe këta njerëzit tonë kur po vijnë po quditen cfarë çmimesh janë në raport me pagat. Dmth duhet me u përcjellë për me e ruajt stabilitetin social e ekonomik të popullit,” shtoi Boletini.
Masat e pamjaftueshme të qeverisë
Qeveria e Kosovës në shtator të vitit 2022 prezantoi pakon për përballjen me inflacionin në vlerë prej 150 milionë euro. Nga kjo pako përfituan pensionistët, familjet në asistencë sociale, zyrtarët publikë, punëtorët e ndërmarrjeve publike, e studentët. Por mbështetje të drejtpërdrejtë financiare nuk morrën punëtorët në sektorin privat që përbëjnë 80% të të punësuarve në Kosovë.
Por 50 euro mbështetje nga Qeveria, nuk po shihen zgjidhje për mësimdhënësin Sadik Boletini. “Unë mendoj nuk është zgjidhje ajo, shembull po e marr, po t’i jap 50 euro këtë muaj edhe ti vazhdon. Duhet me e ligjësu atë edhe me e shti në ligj,” tha Boletini. “D.m.th. me e percjellë gjendjen se nuk mundesh me një ndihmë reale me ia shrti doren qe 50 euro edhe e kam zgjidhë problemin,” tha Boletini.
Edhe qytetarët që u përgjigjën në pyetësor, shumica veprimet e qeverisë për të menaxhuar krizën i shohin të pamjaftueshme. Megjithatë pati edhe nga ata që përmendën shtesat e fëmijëve e subvencionimin e energjisë si punë të mira të Qeverisë.
Një mbështetje e vogël për familjet me gjendje të rëndë ekonomike në Mitrovicë ishte edhe nga Komuna.
Mbi 1900 familje u mbështetën me nga 100 euro. Ndonëse në komunën e mitrovicës janë të vetëdijshëm që krahasuar me nevojat kjo mbështetje nuk është e mjaftueshme, ata thonë se këto ishin mundësitë e komunës. “Mirëpo prap se prap është një minimum i mbështetjes që ne kemi mundësi të ua ofrojmë. Njëkohësisht kemi pa alternativë bashkëpunimin me bizneset lokale që të hapim vende të punës dhe të u krijojmë qytetarëve të Mitrovicës me theks të veçantë të rinjëve dhe të rejave që të kenë një mundësi për avancim dhe për punësim, pra e kemi organizu panairin e punës ku janë promovuar përmbi se 180 vende të lira të punës, ku të rinjtë dhe të rejat munden që ta gjejnë vetën në atë treg të punës, dhe do të vazhdojmë që të kemi bashkëpunim dhe koordinim me bizneset lokale edhe më të theksuar, edhe më të avancuar që të ofrohen mundësi punësimi për të rinjtë dhe të rejat, për shkak që mendojmë që është prej alternativave të vetme dhe më të mira që të ulet niveli i papunësisë dhe qyteti i Mitrovicës të merr kahje të zhvillimit ekonomik lokal,” tha nënkryetari i Komunës, Arian Tahiri.
Duke e parë gjendjen jo të mirë, Sadik Boletini thot se institucionet duhet të ndërmarrin masa për të mundësuar jetë të dinjitetshme në Kosovë.
“E sheh se si janë dekuraju njerëzit, nuk kemi pritë ne me u bë Kuvajt as Amerikë, por kemi pritë me qenë një qetësi më e mirë në ekonomi, me punu në shtet tonin, mos me ia irritu popullit vendin tonë për të cilin u derdhe gjak. Për këtë shtet u derdhë gjak… përfundoi me lot në sy mësimëdhënësi mitrovicas.