Lajme

14 vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës shënohet me aktivitete të shumta në Mitrovicë

  • 17/02/2022
  • By RTV Mitrovica
Share

Komuna e Mitrovicës po shënon me aktivitete të shumta 14 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Fillimisht kryetari i komunës, Bedri Hamza, së bashku me nënkryetarin Arian Tahiri, kryesuesen e Kuvendit, Vesa Broja dhe drejtorët e drejtorive komunale kanë bërë homazhe tek ata që ia sollën lirinë Kosovës- dëshmorët e kombit.

Ata kanë vendos buqeta me lule të freskëta në varrezat e dëshmorëve në Shipol, me ç’ rast bënë nderime tek varri i secilit dëshmorë. Më pas kanë vizituar Kompleksin Përkujtimor në Prekaz, ku nderuan familjen Jashari, duke vazhduar pastaj në Kullën e heroit Isa Boletinit në Boletin.

Po ashtu janë bërë homazhe edhe tek shtatorja e heroit Mehë Uka në sheshin e qytetit.

Ndërkaq nga ora 13:00 ka filluar koncerti festiv me një program të pasur kulturo-artistik, ku kanë përformuar një grup artistësh siç janë Ertit Nura (unplugged), Vjosa Selmani, Alban Feka & Band, TNT, Rok Bende të Reja, Teuta Kurti, si dhe programi për fëmijë përfshirë trupen e baletit, këngë për fëmijë, maskota, makeup artist për fëmijë, vallëzim modern, dhe DJ.