Notice: Undefined property: WP_Error::$parent in /home/rtvmitrovica/public_html/app/uploads/cache/6ab6f7716a7631e82bc51722d4d2e2a6267eb261.php on line 14
TV Mitrovica

Opinione: Politikani i urtë, Sabri Godo

  • 17/07/2021
  • By RTV Mitrovica
Share

Shkruan: Nexhmedin Spahiu (Arkiv, 01.06.2012)

Gjatë kohës sa kam bashkëpunuar me Godon, ruaj kujtimet më të mira për përfilljen e këshillave dhe qasjen e argumentuar ndaj tyre. Sabri Godo ishte përfaqësuesi më tipik i urtësisë shqiptare. Shembulli më mirë i tolerancës. Mungesa e tij në skenën politike shqiptare po ndihet fort

U mbushën 6 muaj qëkur vdiq plaku i urtë i politikës shqiptare, Sabri Godo.

Për disa njerëz mendojmë se janë shumë të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm, por me shkuarjen e tyre kuptojmë se nuk kanë qenë të tillë, madje shpesh bindemi për të kundërtën kur shohim se me shkuarjen e tyre nuk është bërë më keq por më mirë.

Rëndësinë e disa njerëzve e kuptojmë tek pas vdekjes së tyre.

Gjersa ishin të gjallë, menduam se nuk kishin një rol ku ta dimë se çfarë, por shkuarja e tyre krijon zbrazëti të madhe. I tillë ishte Sabri Godo. Ai asnjëherë nuk ishte në ballë të politikës shqiptare, por ai ishte forca motorike e klasës politike shqiptare. Mungesa e tij në skenën politike shqiptare po ndihet fort.

Rruga e tij prej politikani nga e majta e skajshme (ish-partizan) deri te djathta e skajshme (themelues i Partisë Republikane të Shqipërisë) ka bërë që atë ta kuptojë dhe të jetë i kuptuar nga i gjithë spektri politik shqiptar.

Sabri Godo ishte përfaqësuesi më tipik i urtësisë shqiptare. Shembulli më mirë i tolerancës. Edhe pse republikan me fotografinë e Fan Nolit, si frymëzues në zyrën e partisë së tij, doli ta priste për mirëseardhje pretendentin e fronit mbretëror Leka Zogun.

Gjatë kohës sa kam bashkëpunuar me Godon ruaj kujtimet më të mira për përfilljen e këshillave dhe qasjen e argumentuar ndaj tyre.

Godo edhe pse kritikonte shpesh e mprehtë shquhej si politikan jokonfliktuoz. Qëndrimi i tij ndaj Kosovës dhe çështjes shqiptare jashtë kufijve të shtetit shqiptar mund të gjykohet nga perspektiva e sotme përmes proklamatës së Partisë Republikane të botuar në “Republika”, Tiranë, më 12.12.1995.

Autori i këtij teksti jam unë, por merita që ky tekst ka dalë si proklamatë e Partisë Republikane të Shqipërisë i takon Sabri Godos dhe sekretarit të përgjithshëm të atëhershëm, dr. Çerçiz Mingomatajt.

***

Proklamatë e Partisë Republikane të Shqipërisë

Moderimi për çështjen e Kosovës vë në dyshim seriozitetin e shtetit shqiptar

Kohëve të fundit janë paraqitur tendenca për moderim të politikës shqiptare ndaj çështjes së Kosovës. Disa forca politike, gjithnjë e më tepër po heqin dorë nga kërkesa për pavarësimin e Kosovës dhe po insistojnë vetëm për një autonomi të saj. Këto tendenca janë të lidhura me fushatën zgjedhore në Shqipëri dhe rrezikojnë të marrin përmasën e një gare të pakuptimtë, e cila më së paku u shërben interesave shqiptare. Lidhur me këtë, përkujtojmë se, për arsyet e mëposhtme, një politikë e tillë është joserioze dhe vë në dyshim seriozitetin e shtetit shqiptar.

Së pari. Për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur është shprehur me referendum 99.99% e popullsisë shqiptare të Kosovës (popullsi kjo që përbën 92% të banorëve të Kosovës), si dhe shumica dërmuese e popullsisë minoritare në Kosovë (boshnjakëve, turqve, romëve, kroatëve etj.).

Së dyti. Me iniciativën e Partisë Republikane Shqiptare, e cila mblodhi numrin e nevojshëm të nënshkrimeve të qytetarëve shqiptarë në Tiranë dhe në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë, me konsensusin e të gjitha forcave politike, në vitin 1991 e njohu Republikën e Kosovës.

Së treti. Gjatë këtyre pesë viteve, nga ana e Serbisë apo të ashtuquajturës Jugosllavi, nuk pati asnjë përpjekje serioze për ta riintegruar Kosovën në gjirin e saj. Pushteti serb mbi Kosovën u realizua vetëm me veprim policor e ushtarak me një qëllim të vetëm: dëbimin të sa më shumë shqiptarëve nga Kosova.

Së katërti. Serbia në Kosovë, gjatë këtyre pesë viteve, nuk deshi të rekrutonte shqiptarë me orientime proserbe. Përkundrazi, edhe atyre 2-3 vetëve, ua thanë troç: Si nuk keni turp që tradhtoni popullin tuaj. Kjo dëshmon se Serbia nuk është e interesuar për ndonjë zgjidhje të ndërmjetme të çështjes së Kosovës. Serbia dëshiron që problemi i Kosovës të zgjidhet njëherë e përgjithmonë; o t’i zbojë shqiptarët nga Kosova, o të tërhiqet vetë nga Kosova.

Së pesti. Lufta në Ballkan po zgjat që katër vite dhe deri më tani asnjë çështje nuk u zgjodh përmes autonomive edhe pse diplomacitë perëndimore propozonin vazhdimisht plane të tilla.

Së këndejmi. Nuk ka asnjë arsye të shëndoshë që politika shqiptare të kthehet prapa. Përkundrazi, duhet të jemi kritikë edhe ndaj disa qëndrimeve, të cilat e dëmtojnë autoritetin e institucionit të Presidentit të Republikës së Kosovës.

E konsiderojmë të pavend deklarimin e Presidentit Rugova, për Kosovën shtet neutral i hapur si ndaj Shqipërisë edhe ndaj Serbisë, për arsye se, ky formulim, paragjykon marrëdhënie jo të mira mes Tiranës dhe Beogradit. Pas zgjidhjes së çështjes së Kosovës, Tirana dhe Beogradi nuk kanë pse të kenë marrëdhënie të tensionuara.

Kosova, e shkëputur nga Serbia, nuk ka pse të jetë neutrale. Ajo duhet të jetë, njësoj sikur edhe Republika e Shqipërisë, e orientuar kah Pakti NATO, e pse jo, këtë duhet t’ia dëshirojmë edhe Serbisë.

Opinioni shqiptar në Tiranë duhet ta ketë të qartë se heqja dorë nga pavarësia e Kosovës do të thotë heqje dorë nga Kosova. Të heqësh dorë nga Kosova do të thotë që Tirana t’i ketë brenda 2 milionë refugjatë kosovarë, që është baras me katastrofë kombëtare.

Diplomacia shqiptare duhet të intensifikojë aktivitetin e saj për të përfituar sa më shumë aleatë në këtë drejtim. Në realizimin e këtij synimi, aleatë perëndimorë duhet konsideruar jo vetëm SHBA-të, Gjermaninë dhe Italinë, por edhe Britaninë e Madhe e Francën.

Presidenti serb, Sllobodan Millosheviq, tanimë është i detyruar të bëhet më realist e të kuptojë se është e pamundur që Kosova të zbrazet nga 2 milionë shqiptarë dhe se, herët a vonë, edhe Kosova, si dhe njësitë e tjera të ish-Federatës Jugosllave, do të arrijë qëllimin e pavarësisë së saj. Epilogu i ngjarjeve në Kroaci e Bosnje mendojmë se është shumë kuptimplotë në këtë drejtim.