Arkiv
Në Ballkan ndotja bllokon lumenjtë që dikur ishin të pacënuar
- 30/12/2022
- By RTV Mitrovica
Ujërat e zeza, mbeturinat komunale dhe industriale kanë transformuar rrjedhat ujore të rajonit në pellgje toksike të cilët rrezikojnë të kontaminojnë zinxhirin ushqimor për shkak të rritjes së rrezikut të përmbytjeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.
Nga Majlinda Brahimi, Ana Marković dhe Katerina Topalova
Fazli Azemi, një pensionist shqiptar që kishte kaluar një jetë duke peshkuar në lumin Ibër që e ndanë qytetin e Mitrovices në Veri të Kosovës, kujton se gjatë fëmijërisë së tij lumi ishte plot me peshq.
“Ibri ka qenë një lum i jashtëzakonshëm. Ka qenë lum i pastër. Ne kemi gërmuar këtu dhe kemi pi ujë,” tha ai duke bërë me shenjë në breg të lumit.
Që prej fëmijërisë së Azemit shumë gjëra kanë ndryshuar në Kosovë dhe peshkimi në Ibër nuk është një sport që shumë të rinjë e shijojnë.
“Njerëzit me të vërtetë nuk janë as të vetëdijshëm sa i ndotur është dhe çfarë problemi sjell kjo ndotje,” tha Milivoje Rajčević, një i ri serb nga pjesa veriore e Mitrovicës i cili shpreh keqardhje për mungesën e ndërgjegjësimit qytetarë dhe neglizhencën institucionale.
Mbetjet industriale, mbeturinat dhe ujërat e zeza i kanë transformuar në rrjedha të ndotura lumenjtë e Ballkanit, dikur të pacënuar. Me rritjen e rrezikut të përmbytjeve për shkak të ndryshimeve klimatike, ndotja po derdhet në tokat bujqësore. Pavarësisht kërcënimit që paraqet ndotja për furnizimin me ushqim në rajon, autoritetet lokale po bëjnë pak për të zbutur efektet e saj negative.
Foto: Pjesa e lumit Ibër pas bashkimit me Sitnicën. Në anën e majt lart ndodhet liqeni i piritit në të cilin grumbullohen ujërat industriale të minierës së Trepçës që më pas rrjedhin edhe në Ibër.
“Duhet të ndërmerren hapa të menjëhershëm,” tha hidrogjeologu Esat Peci, duke shprehur shqetësimin e tij për nivelin e lartë të ndotjes industriale që vie nga miniera e Trepçës në vendin ku bashkohet Ibri me Sitnicën.
“Në atë pjesë pothuajse nuk ka fare peshq, nuk ka faunë, për shkak të kimikateve nga mbetjet industriale të Trepçës,” shtoi Peci.
Një problem i ngjashëm ndodhet edhe në Komunën e Graçanicës e banuar nga komuniteti serb në Kosovë. Shkarkimi i ujërave minerale në lumin Graçanka nga miniera e Kishnicës pjesë e kompleksit industrial të Trepçës që ndodhet afër Graçanicës, por edhe hedhja e pakontrolluar e mbeturinave në lum, rrezikojnë lumin Sitnica në të cilin derdhet Graçanka.
Foto: Lumi Graçanka në Graçanicë
Sipas një banori të Laplla Sëllës në komunën e Graçanicës, ngjyra e lumit Graçanka shpesh ndryshon bazuar në kimikatet që njerëzit i hedhin në të.
“Ne kemi jetuar në këtë atmosferë të ndotjes për vite,” tha Milena Zravković nga Laplla Sellë, ndërsa kujton se në të kaluarën uji ishte i pastër si kristali.
Aleksandar Ćorac, profesor i ekologjisë në Universitetin në Veri të Mitrovicës, thekson se deponitë industriale nga kompleksi minerar Trepça të pranishme në gjithë pellgun e Ibrit, rrjedhin edhe në lumin Graçanka.
“Përtacia njerëzore, injoranca, papërgjegjësia, varfëria në shumë nivele, interesat kuazi-elitare, për dekada janë shkaktarët kryesor të ndotjes së Sitnicës dhe Ibrit, por gjithashtu edhe të shumë lumenjëve tjerë dhe mjedisit në përgjithësi,” tha ai.
Irma Dervišević, profesoreshë e Ingjinerisë së Mjedisit në Fakultetin Teknik në Veri të Mitrovicës, paralajmëron që duke ndotur lumenjtë ne po kontaminojmë ushqimin që ne hamë.
“Edhe nëse të mbjellat nuk ujiten me ujë të kontaminuar dhe të ndotur dhe toka bujqësore nuk është në afërsi të tyre, për shkak të ërshimit të mundshëm të lumit, uji i ndotur do të arrijë te kulturat bujqësore dhe për rrjedhojë do t’i kontaminoj ato, kështu ndotësit do të hynin në zinxhirin ushqimor,” argumenton ajo.
Foto: Uji i ndotur në hapësirën e zgjeruar të shtratit të lumit që quhet Liqeni Akumulues në Mitrovicë
Peshkatarët vendas ankohen se niveli i lartë i ndotjes në lumin Ibër, e ka bërë peshkun e tij të pangrënshëm për njerëzit.
“Peshqit nuk janë të ngrënshëm sepse dieta e tyre ushqimore është e ndotur nga ndotja e ujit,” tha Arif Kadriu nga Shoqata e Peshkatarëve në Mitrovicë. “Është shqetësuese që autoritet qëndrore dhe lokale nuk i kushtojnë fare vëmendje këtyre fenomeneve,” shtoi ai.
Po aq i alarmuar është edhe Esat Peci. Hidrogjeologu kosovar ka paralajmëruar se nivele të tilla të larta të ndotjes do të ndikojnë negativisht në shëndetin e njerëzve.
“Ndotja e lumit mund të shkaktoj po ashtu edhe sëmundje, në veçanti sëmundje autoimmune të cilat janë shumë të rrezikshme dhe gati të patrajtueshme,” vuri në dukje ai.
Ndonëse ekspertët dhe aktivistët thonë se ka nivel të lartë të ndotjes në lumin Ibër, Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore, pjesë e Mininistrisë së Mjedisit, në një përgjigje me shrkim për TV Mitrovicën, ka thënë se bazuar në monitorimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, cilësia e ujit është brenda kufijëve.
“Vlerat e rëndësishme të cilësisë së ujit rezultojnë brenda kufijve të lejuar sipas standardeve për ujërat sipërfaqësore”, shkruan Autoriteti. “Prania e oksigjenit në ujë është në nivelin e duhur për zhivillimin e faunës, të përshtatshme për ekosistemin në lum,” thuhet në përgjigje.
Dikur notonim në lum
Rrjedhat e katër lumenjëve bashkohen në qytetin e ndarë të Mitrovicës. Lumenjtë e Lushtës dhe Trepçës derdhen në lumen Sitnica dhe ky më pas në Ibër.
Ndryshe nga njerëzit, lumenjtë në Ballkan nuk janë të ndarë sipas kufijve politikë. Lumi Ibër buron në malet Mokna Gora, përshkon Malin e Zi në lindje, Veriun e Kosovës dhe Serbinë qendrore me një gjatësi totale prej 272 kilometrash. Ibri përshkon veriun e Kosovës për 85 kilometra dhe 15 kilometra qytetin e Mitrovicës.
Xhevdet Qubreli, një peshkatar i pasionuar nga Mitrovica kujton se Ibri dikur ishte një lum i pacënuar (paprekur).
“Në të kaluarën unë dhe të tjerët jemi la në Ibër gjatë verës,” tha ai.
Stojan Živić, 67 vjeçar nga fshati Llaplla Sellë, ka jetuar gjithë jetën pranë brigjeve të lumit Graçanka i cili rrjedh në fshat dhe është një nga rrjedhat ujore më të ndotura në Kosovë. Megjithatë Stojani kujton se nuk ka qenë gjithmonë kështu.
“Aty ka pasur peshq, ishte një lum i bukur malor ku ne notonim, nëna ime lante rrobat në atë lum.”
Foto: Uji i ndotur në lumin Graçanka
Shemsi Hoti një tjetër qytetar nga Mitrovica, kujton me mallë peridhën kur lumi Ibër nuk ishte i ndotur.
“Në atë kohë, ka pasë më pak ndotje sepse ka pasë më pak kompani, më pak fabrika, qyteti ka pasë më pak popullatë dhe uji ka qenë më i pastër,” kujtoi ai. “Nuk ka pasur mbeturina siç i shohim sot,” shtoi Hoti.
Foto: Grumbull mbeturinash në breg të Ibrit në afërsi të fshatit Koshtovë
Arif Kadriu kujton kur kohën shkonin me familjen në piknik në brigjet e lumit në Mitrovicë.
“Kur isha fëmijë, lumenjtë tanë ishin plot jetë dhe zona të gjelbra, kishte shumë vende për të notuar dhe për të peshkuar,” tha ai. “Tani nuk ka vend të mjaftueshëm ku mund të bësh piknik, brigjet tona janë plot me mbeturina e çfarë jo.”
Esat Peci ka thënë se problemet mjedisore në lumin Ibër u intensifikuan pas luftës në Kosovë, nga viti 1999, kur njerëzit nga fshatrat e afërta – nga Suhadolli në Çabër – filluan të hedhin materiale ndërtimore nga shtëpitë e djegura në luftë, në lumin Ibër.
“Ata i hodhën mbeturinat në brigjet e lumit por shumica edhe në ujë,” tha Peci. Ai nënvizoi se një faktorë kontribues ka qenë edhe përdorimi i rërës në brigjet e lumit si material ndërtimor.
“Nga ura e tanishme e Suhadollit e deri në Vinarc të Epërm (fshatra), rëra është përdorur si material ndërtimor dhe ajo pjesë është shkatërruar dhe degraduar tërësisht,” tha Peci.
Foto: Kështu duket nga lart degradimi i shtratit të Ibrit nga nxjerrja e rërës në zonën e Çabrës, Zubin Potok.
Një studim i kryer nga organizata “Komunikimi për Zhvillimin e Shoqërisë,” ka gjetur se komunat në Kosovë nuk kanë kapacitete për të ndalur rrjedhën e ndotjes në lumin Graçanka.
“Hulumtimi tregoi se qeveritë lokale nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për t’u marrë me problemin e rrezikimit të mjedisit,” thuhet në studim.
“Ndarjet e pamjaftueshme buxhetore për mbrojtjen e mjedisit, komunikimi dhe koordinimi i dobët me institucionet qendrore, mosekzistenca dhe mungesa e studimeve dhe kërkimeve profesionale që do të ndihmonin në zgjidhjen metodike të problemeve,” shtoi ai.
Për të rritur ndërgjegjësimin për ndtojen e lumit, aktivisti nga organizata lokale Young Active Gracanica, organizoi një kamp ndërkombëtar me qëllim të pastrimit të brigjeve të tij nga mbeturinat.
“Ne pastruam zonën rreth lumit dhe vumë në dukje problemin e ndotjes së lumit, i cili i bënë shumicën e njerëzve të kthejnë kokën apo edhe të ndalojnë frymëmarrjen gjatë kalimit,” tha Petar Đorđević, një përfaqësues i organizatës.
Një nga aktivitetet gjatë atij kampi ishte një shfaqje në skenë ku aktivistët organizuan një garë peshkimi në lumë me vullnetarë vendas dhe ndërkombëtarë.
“Ne besojmë se ky veprim bëri shumë njerëz të pyesin se si arritëm në pikën ku lumi i cili kalon në qendër të disa fshatrave, është një tallje nga e cila ne kthejmë kokën anash,” tha Đorđević.
“Kjo u kujtoi shumë njerëzve kohët e vjetra kur laheshin në atë lum, laheshin dhe arrinin të zinin edhe peshk, jo vetëm mbeturina,” shtoi ai.
Lumenjtë e ujërave të zeza
Minierat dhe industria e rëndë në qytetin e ndarë etnikisht kanë lënë një trashëgimi të degradimit dhe ndotjes së mjedisit. Megjithatë mbeturinat industriale nuk janë burimi i vetëm i ndotjes për lumenjtë dhe rrjedhat ujore të Kosovës.
“Në fakt, kemi të bëjmë me një nivel të ndotjes, veçanërisht me ndotësit biologjikë që vijnë nga derdhja e ujërave të zeza direkt në lum,” tha Mihone Kerolli, Profesoreshë e Shkencave të Mjedisit në Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë.
Foto: Ky është lumi Sitnica që konsiderohet si më i ndoturi në Kosovë.
Sipas Autoritetit Rregullativ të Ujërave në Kosovë, tre impiantet e trajtimit të ujërave të zeza që aktualisht funksionojnë në tërë vendin, trajtojnë ujërat e zeza të shkarkuara vetëm nga 3.5% e popullatës që kanë qasje në kanalizim publik. Pjesa tjetër e ujërave të zeza derdhen të patrajtuara në lumenjë. Edhe pse qeveria e Kosovës ka ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtarë për ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë, ndërtimi i tij nuk ka filluar ende.
Hidrogjeologu Esat Peci tha që kimikatet që përdoren në amvisëri derdhen në lumenjë përmes ujërave të zeza dhe deponia e mbeturinave që ndodhet pranë (në Koshtovë), e ndotin njëlloj pellgun e lumit Ibër.
“Mbetjet organike (në deponinë e Koshtovës) kanë depërtuar në ujërat nëntokësore të cilat janë të lidhura me ujërat sipërfaqësore pasi furnizojnë njëra – tjetrën,” tha ai. “Sigurisht që këto ujëra nëntokësore derdhen në lumin Ibër duke i shkaktuar dëme të mëdha lumit”, shtoi Peci.
Komuna e Graçanicës së bashku me Ujësjellësin Rajonal në Kosovë, kanë paralajmëruar planet e përmirësimit të rrjetit të kanalizimit dhe sistemin e rregullimit të të gjitha ujërave të zeza në komunat e Graçanicës, Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Obiliqit.
Projekti, i cili do të financohet nga Agjencia Gjermane për Zhvillim, Giz, ka një vlerë prej 82 milionë euro.
“Në pikën e bashkimit të lumit Graçanka në Sitnicë do të ndërtohet një impiant i madh për pastrimin e ujit dhe para kësaj do të largohen të gjitha ujërat e ndotura dhe ujërat e zeza nga Graçanka jonë, me një kolektor që është mënyra se si do ta zgjidhim këtë problem të madh”, kanë thënë nga Komuna e Graçanicës, në një përgjigje me shkrim për Graçanica Online.
Politika e ndotjes
“Çdo 15 minuta mund të shihni qese të mbushura me mbeturina që notojnë në lum”, tha Veliče Naumoski, një peshkatar nga Struga, ku lumi Drini i Zi rrjedh nga Liqeni i Ohrit. “Në vend që t’i hedhin në kontejnerë, njërëzit i hedhin mbeturinat në lum”, tha ai.
Edhe kolegu i tij peshkatar Milčo Stojanoski është i shqetësuar për deponitë e mbeturinave në lum.
“Njerëzit i hedhin mbeturinat në lum nga të gjitha vendet,” vuri në dukje ai me shqetësim.
Situata është edhe më e rëndë në kryeqytet, në Shkup, i cili nuk ka një impiant për trajtimin e ujërave të zeza të cilat grumbullohen në lumin Vardar.
Në fund të vitit 2019, shteti ka lidhur një marrëveshje kredie me bankat evropiane në vlerën prej 136 milionë euro, megjithatë, për shkak të një grindjeje politike midis komuës dhe qeverisë, impianti është ende në pritje për të filluar ndërtimin.
“Qeveria dhe opozita në komunën e Shkupit patën një konflikt të rëndë dhe akuza për shpenzimin e parave për stacionin e kanalizimit,” sqaroi ministri i Mjedisit në Maqedoni, Naser Nuredini.
Qyteti i Shkupit nuk u përgjigj në kërkesën për të komentuar mbi ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave, megjithatë, testet bakteriologjike e renditin Vardarin si shumë të ndotur dhe për këtë arsye ndalohet përdorimi i ujit për larje dhe ujitje.
Megjithtë, nuk ishte gjithmonë kështu. Risto Atanasovski, 70 vjeçar nga Shkupi, kujton që gjatë fëmijërisë si tij uji në lum ishte i sigurt.
“Nga maji në shtator laheshim në Vardar,” kujton Atanasovski. “Vera e Shkupit ishte periudha më e bukur e rinisë sime,” shtoi ai.
Atanasovski theksoi se për të është vështirë të shoh ndotjen e lumin Vardar.
“Më dhemb zemra kur shoh se çfarë ka mbetur nga Vardari,” tha ai. “Dhe nga ky ujë ne ujitim arat për ushqimin që vendosim në tryezë,” shtoi ai.
Ngjashëm me lumin Vardar, në Maqedoninë e Veriut, rrjedhat ujore janë nën presion të vazhdueshëm nga ujërat e zeza komunale dhe indurstiale dhe substanca tjera kimike, të cilave u duhen dekada për t’u dekompozuar dhe vendosur në botën ujore.
Inspektorati i mjedisit kryen kontrollin e ndotjes vetëm me një inspektor dhe disa nga stacionet hidrologjike të tij për kontrollin e nivelit të ujit dhe cilësisë së lumenjëve nuk funksionojnë fare.
Pavarësisht mungesës së stacioneve hidrologjike për monitorimin e cilësisë së ujit, Ministria e Mjedisit garanton se përqendrimi i substancave të rrezikshme dhe të dëmshme në lumenj është brenda kufijëve të përcaktuar.
Ne pyetëm Ministrinë e Mjedisit në Qeverinë e Kosovës për lumenjtë e ndotur Graçanka dhe Ibër por nuk kemi marrë përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.
Rreziku i Ndryshimeve Klimatike
Skenarët e ndryshimeve klimatike për rajonin parashikojnë se për shkak të rritjes së temperaturës së planetit, valët e të nxehtit, rrymat dhe mungesa e ujit do të bëhen sfida akute.
“Ndryshimi i klimës do të ndikojë në disponueshmërinë, cilësinë dhe sasinë e ujit për nevojat elementare njerëzore,” paralajmëron UNESCO, në një raport të vitit 2020 me titull: Nryshimet klimatike dhe uji.
Pavarësisht paralajmërimeve të tilla, çështjet mjedisore duket se nuk janë në agjendë prioritare për autoritetet në rajon. Në Kosovë përveç iniciativave të aktivistëve të Shoqërisë Civile, bashkëpunimi institucional ndërmjet komunave me përbërje të ndryshme etnike është veçanërisht i dobët.
“Nuk kemi bashkëpunim me komunat tjera të rajonit në këtë fushë,” tha Egzon Sadiku nga Komuna Jugore e Mitrovicës, i cili shpreson se ndërtimi i impiantit për trajtimin ujërave të zeza do të zvogëloj ndotjen në lumin Ibër.
“Ndryshimet klimatike mund të kenë ndikim në ndotje në kuptimin e reshjeve më intensive dhe më të shpeshta që mund të çojnë në vërshimin e zonave ranore të lumenjëve në Kosovë, dhe rrjedhimisht në shpërndarjen e ndotësve që janë të pranishëm në këto sisteme ujore, gjë që kontribuon në ndotjen e një zone më të gjerë dhe rrjedhimisht mundësia që këta ndotës të hyjnë në një zingjir më të madh ushqimor,” është mendimi i profesoreshës Irma Dervišević.
Hidrogjeologu Esat Peci argumenton se ka nevojë për veprime të menjëherëshme për të adresuar ndotjen në lumin Ibër.
“Pothuajse gjysma e Kosovës pi ujin nga lumi Ibër dhe mbrojtja dhe sigurimi i ujit të pastër duhet të adresohet urgjentisht,” thekson ai.
Për dallim nga Ballkani, vendet e zhvilluara po punojnë seriozisht për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike për shkak të ndrohjes globale.
“Shumë vende, rajone dhe qytete në botë kanë filluar tashmë me të ashtuquajturën strategji për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike,” tha gazetarja mjedisore Angelina Davidova.
Megjithëse rajoni ka shumë punë për të bërë për të trajtuar problemet mjedisore dhe gatishmërinë klimatike, profesori Aleksandar Ćorac mbetet optimist dhe i qartë për atë që duhet bërë.
“Besoj dhe shpresoj, për hir të së ardhmes së fëmijëve tanë, se ne kemi forcën për të bashkuar kapacitetet tona për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve fillimisht dhe më pas për të bërë presion mbi ata që marrin vendime,” përfundoi ai.
“Ky material është publikuar në kuadër të projektit “Going Environmental” i menaxhuar nga n-ost dhe BIRN dhe financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). BMZ nuk është në asnjë mënyrë përgjegjëse për informacionet apo këndvështrimet e shprehura në kuadër të projektit”.